Vjen një moment kur e kupton se jeta jote nuk është një fletë Excel-i. Sado që ta ngjyrosësh orarin tënd me plane, afate dhe synime ambicioze, realiteti ka zakon të shtypë butonin Delete në çastin më të papritur.
Sot, mund të jesh i bindur se pesë vitet e ardhshme janë plotësisht të parashikueshme — puna jote, marrëdhëniet, udhëtimet, ndoshta edhe familja. Por mjafton një takim, një telefonatë, apo një ndryshim i vogël, që të të përmbysë të gjitha planet.
Dhe nëse deri dje besoje se stabiliteti nënkuptonte planin A, të mbështetur nga planin B dhe një kalendar plot ngjyra, sot ndihesh ndryshe. Stabiliteti i vërtetë nuk ka të bëjë me parashikueshmërinë. Ai ndodhet brenda teje. Në guximin për të thënë: “Çfarëdo që të ndodhë, unë do të jem mirë.”
Sepse e ardhmja nuk vjen kurrë vetëm në një version. Ajo mbërrin gjithmonë me një listë të tërë mundësish. Dhe ndonjëherë, pikërisht ajo më e papritura është ajo që të çon në vendin e duhur.
Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë pak frikësuese. Por mund të jetë edhe çliruese, apo jo? Sepse nëse asgjë nuk është e garantuar, atëherë gjithçka është e mundur.
Jeta nuk është një serial televiziv me skenar
Ndonjëherë duam të kemi gjithçka nën kontroll, sikur të ishim vetë skenaristët e serialit tonë në Netflix. Por realiteti është më afër një telenovele turke me 250 episode, me kthesa të papritura dhe personazhe që shfaqen nga askundi. Megjithatë, edhe kjo ka anën e saj të bukur. Pasiguria është ajo erëza që e bën jetën tonë emocionuese. Sepse po të ishte çdo gjë e parashikueshme, s’do të kishim asgjë interesante për t’u shkruar miqve tanë në orën 2 të mëngjesit, për shembull.

Planet dhe surprizat
Ta pranojmë: sa herë ke pasur një “plan të fortë”, dhe pastaj gjithçka ka marrë drejtim krejt tjetër? Karriera, dashuria, miqësitë. Jeta i pëlqen të përziejë letrat. Dhe pikërisht kur mendon se po kontrollon lojën, vjen ai moment që mund të ndryshojë gjithçka. Mund të jenë dy vijat në një test shtatzënie. Ndonjëherë është lajmi më i shumëpritur, herë të tjera vjen si rrufe në qiell të pastër dhe të përball me një sfidë të papritur.
Qëndrueshmëria është brenda, jo jashtë
Harro përkufizimet e vjetra të qëndrueshmërisë. Punësimi afatgjatë në një kompani, kredia për banesën, pensioni pas 30 vitesh pune. Qëndrueshmëria e vërtetë është diçka shumë më intime dhe personale. Është ai qetësimi i brendshëm që të thotë se çfarëdo që të ndodhë, ti do të gjesh mënyrën për ta përballuar.
Kjo vlen për karrierën, kur një projekt dështon. Vlen për dashurinë, kur zemra thyhet. Vlen edhe për familjen, kur marrëdhëniet ndryshojnë. E ndjen kur mban në duar një test dhe e di se ai mund të ta ndryshojë jetën plotësisht. Pikërisht atëherë kupton se qëndrueshmëria nuk gjendet te rrethanat, por tek ti. Tek aftësia jote për t’u përshtatur, për të përqafuar një rol të ri – ose jo. Ti vendos.
Rituale të vogla për qetësi të madhe shpirtërore
Kur bota duket si një karusel që s’të ndalon, ekuilibrin mund ta gjesh në gjërat e vogla. Ato janë spirancat e tua, që të kujtojnë se ende ke fuqi mbi mënyrën si e jeton ditën tënde. Frymëmarrja është arma më e thjeshtë dhe më e fuqishme. Vetëm disa frymëmarrje të ngadalta, brenda dhe jashtë, mund të të rikthejnë këtu dhe tani, edhe kur mendimet të rendin në të ardhmen.
Ndërsa ndershmëria me veten është magji më vete. Thuaji vetes: “Nuk mund të kontrolloj gjithçka, por mund të zgjedh si të reagoj.” Nëse lejon që e panjohura të ekzistojë pa të frikësuar, hap hapësirë për mundësi të reja. Dhe a nuk janë netët më spontane ato që lënë kujtimet më të bukura?
Këtu hyjnë në lojë ritualet e vogla: kafeja e mëngjesit që aromon si një përqafim i ngrohtë. Një shëtitje ku harron telefonin dhe dëgjon vetëm hapat e tu. Biseda me mikun që di të të bëjë të qeshësh edhe kur je në prag të një krize nervore. Dhe nëse je në pritje të një fëmije, ato momente kur vendos dorën mbi bark dhe ndien se jeta tashmë është ndryshe – por më e bukur pikërisht për këtë arsye.

Pranoje të ardhmen si një mik
Në vend që të luftosh me të ardhmen dhe ta fajësosh që s’përshtatet me planet e tua, përpiqu ta pranosh. Mendoje si atë mikun që gjithmonë të çon në vende të papritura. Ndonjëherë në një takim që përfundon keq, herë të tjera në një festë që do ta mbash mend për gjithë jetën. Ajo nuk të jep gjithmonë atë që kërkon, por të dhuron mësime të reja, këndvështrime të reja dhe versione të reja të vetes.
E ardhmja nuk është një armik që duhet mposhtur. Është një aleate që të mëson të jesh fleksibël. Sa herë që planet dështojnë, ti zhvillon një forcë të re. Sa herë që përballesh me një kthesë të papritur, zbulon një anë të re të vetes. Dhe po, gjërat më të mira ndonjëherë vijnë pikërisht atëherë kur asgjë nuk është planifikuar.
Përfundimi?
Qëndrueshmëria e vërtetë nuk është të mbash timonin me forcë, nga frika se varka do të anohet. Qëndrueshmëria e vërtetë është në besimin se edhe kur dallgët të përplasin, ti do të gjesh fuqinë për të notuar dhe për të arritur në breg. E ardhmja ka pafund versione, dhe secili mund të duket i frikshëm në fillim. Por në secilin prej tyre, ti je personazhi kryesor. Gruaja që mban historinë, forcën dhe hijeshinë.

