Adoleshentët

5 SËMUNDJET SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME MË TË ZAKONSHME DHE SI TI TRAJTONI ATO

5 Most Common STDs & How To Treat Them

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) janë shumë të zakonshme dhe nëse keni një SST nuk është ka asgjë për t’u turpëruar – por është e rëndësishme t’i kuptoni ato, në mënyrë që të keni një jetë seksuale të shëndetshme pa u shqetësuar për marrjen ose përhapjen e ndonjë sëmundje të tillë. Nëse dëshironi të mësoni se cilat janë SST-të më të zakonshme, si dhe simptomat e tyre apo si t’i trajtoni ato –  lexoni dhe zbuloni më shumë rreth 5 sëmundjeve seksualisht të transmetueshme më të zakonshme.

SI TRANSMETOHEN SST?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, më shumë se 1 milion SST transmetohen çdo ditë në të gjithë botën. SST mund të transmetohet nga një person tek tjetri përmes aktivitetit seksual përfshirë seksin vaginal, oral dhe anal. Ato gjithashtu mund të përhapen përmes kontaktit intim fizik, gjakut dhe produkteve të gjakut.

SST-TË MË TË ZAKONSHME

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, ka më shumë se 30 sëmundje të ndryshme që njihen se transmetohen përmes kontaktit seksual. 8 SST-të më të zakonshme janë sifilisi, gonorrea, klamidia, trikomonasi, hepatiti B, herpesi, HIV, dhe virusi i papilomës njerëzor (HPV).

Nga këto 8 SST, 4 mund të shërohen: sifilisi, gonorrea, klamidia dhe trikomonasi. 4 të tjerët janë infeksione virale, të cilat aktualisht janë të pashërueshme, por simptomat e tyre mund të reduktohen, menaxhohen ose modifikohen përmes trajtimit. Klamidia është sëmundja më e zakonshme e kurueshme, ndërsa HPV është sëmundja më e zakonshme e pashërueshme.

TRIKOMONASI

Trikomonasi shkaktohet nga një parazit mikroskopik i quajtur Trichomonas vaginalis dhe përhapet përmes marrëdhënieve seksuale me një person i infektuar më parë.

Simptomat

Zakonisht infekton aparatin urinar tek meshkujt  dhe vaginën te femrat, shpesh mund te mos japë simptoma. Nëse shkakton simptoma, ato zakonisht shfaqen brenda 5 – 28 ditëve të infektimit dhe variojnë nga një irritm i lehtë deri në inflamacion të rëndë. 

Simptomat mund të përfshijnë:

 Rrjedhje vaginale të bardha me nuance gri ose të verdhë
• Rrjedhje nga penisi tek meshkujt
• Aromë të rëndë e të fortë vaginale
• Irritim dhe djegie vaginale
• Djegie dhe irritim brenda penisit
• Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale
• Dhimbje gjate urinimit

Trajtimi

Trajtimi më i zakonshëm për trikomonasin është një dozë e lartë metronidazole ose tinidazole. Sidoqoftë, mjeku juaj mund të rekomandojë një dozë më të ulët dy herë në ditë për shtatë ditë.

KLAMIDIA

Klamidia  përhapet kryesisht nga marrëdhëniet seksuale, por mund ta merrni edhe përmes seksit oral.

Simptomat

Simptomat më të zakonshme përfshijnë një rrjedhje të pazakontë nga vagina ose penisi, dhimbje ose djegie kur urinoni dhe dhimbje të fundit të barkut. Simptoma të tjera përfshijnë dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale dhe gjakderdhje në mes të ciklit menstrual tek gratë, si dhe dhimbje të testikujve tek burrat. Por vetëm rreth 25% e grave dhe 50% e burrave shfaqin simptoma, kështu që është e rëndësishme të testoheni nëse mendoni se keni patur marrëdhënie seksuale me dikë të infektuar me klamidia.

Trajtimi

Klamidia shkaktohet nga bakter, kështu që kurohet me antibiotikë. Pasi të jeni trajtuar, duhet të bëni sërish ritestim në tre muaj, edhe nëse partneri juaj është trajtuar gjithashtu.

GONORREA

Gonorrea është një infeksion bakterial që prek traktin tuaj gjenital. Gjithashtu mund të prekë  gojën, fytin, sytë dhe anusin tuaj.

Simptomat

Simptomat zakonisht fillojnë të shfaqen brenda 10 ditëve pas perfitimit të infeksionit. Sidoqoftë, disa njerëz mund të infektohen për muaj të tërë përpara se të shfaqen shenja ose simptoma. 

Shenjat dhe simptomat karakteristike janë:

• Sekrecione vaginale të trasha, të turbullta, apo me njolla gjaku nga vagina apo penisi
• Dhimbje, djegie gjatë urinimit
• Hemoragji menstruale jo normale
• Enjtje dhe dhimbje të testikujve
• Dhimbje të zorrëve
• Djegie anale

Trajtimi

Nëse keni Gonorrea, mjeku juaj me shumë mundesi do t’ju përshkruajë dy antibiotikë: ceftriaxone ose azitromicinë/doksiciklinë. Ceftriaxone jepet si injeksion 1 herë në ditë, ndërsa dy antibiotikët e tjerë merren nga goja.

HIV

HIV (Virusi i Imunodefiçencës njerëzore)  transmetohet kur gjaku, sperma ose lëngjet vaginale nga një person i infektuar hyjnë në trupin e një personi tjetër, zakonisht përmes kontaktit seksual. Ky virus interferon me aftesitë e trupit për të luftuar infeksionet e tjera, virale, bakteriale apo mykotike duke cuar në një sëmundje kronike vdekjeprurëse. Nëse nuk trajtohet mund të çojë në SIDA, një sëmundje kronike dhe kërcënuese për jetën.

Simptomat

Nëse infektoheni  me HIV, si fillim mund të jeni  asimptomatikë. Disa njerëz zhvillojnë simptoma të ngjashme me gripin, zakonisht dy deri në gjashtë javë pas infektimit.

Simptomat e para të HIV mund të jenë:

  • Ethe
  • Dhimbje koke
  • Dhimbje fyti
  • Zmadhim të gjëndrave limfatike
  • Rash
  • Lodhje

Këto shenja zakonisht zhduken brenda javës apo muajit dhe shpesh ngatërrohen me një infeksion viral. Sidoqoftë, gjatë kësaj periudhe personi i infektuar është shumë infektues për të tjerët.

Simptoma më të vazhdueshme dhe të rënda të infeksionit HIV mund të mos shfaqen për 10 vjet ose më shumë pas infeksionit fillestar. Me pas, kur virusi shumohet dhe shkatërron sistemin imun shfaqen shenjat e sëmundjes kronike siç janë: Gjëndra limfatike të zmadhuara, diarre, rënie në peshë, ethe,kolle dhe shkurtim te frymemarrjes

E vetmja mënyrë për të ditur me siguri nëse keni HIV është të testoheni, kështu që nëse dyshoni se mund të keni HIV, testohuni sa më shpejt që të keni mundësi

Trajtimi

Megjithëse ende nuk ekziston një kurë për HIV, ai mund të mjekohet dhe menaxhohet duke marrë barna që ngadalësojnë përparimin e virusit në trupin tuaj. Kombinimi i barnave të përdorura për trajtimin e HIV quhet terapi antiretrovirale (ART).

ART mund t’ju mbajë të shëndetshëm për shumë vite duke zvogëluar sasinë e virusit (ose ngarkesën virale) në lëngjet e gjakut dhe trupit tuaj. Kjo rekomandohet për të gjithë personat me HIV, pavarësisht se sa kohë kanë pasur virusin ose sa të shëndetshëm janë. ART gjithashtu zvogëlon mundësinë tuaj për të transmetuar HIV te të tjerët nëse merret siç përshkruhet.

SIFILIZI

Sifilizi është infeksion i shkaktuar nga një bakter spiroket, treponema pallidum, që prek organet gjenitale, lëkurën, mukozat, dhe mund të prekë dhe pjesë të tjera të trupit, perfshirë  zemrën dhe trurin. 

Simptomat

Simptomat e Sifilizit zhvillohen në 4 stade: primar, sekondar, latent dhe terciar. Njihet dhe një gjëndje e quajtur sifiliz congenital kur semundja kalon nga nëna tek fëmija akoma i palindur duke dhënë komplikacione të rënda dhe mund të jetë i rrezikshëm për jetën, kështu që është e rëndësishme që gratë shtatzëna me sifiliz të testohen dhe trajtohen.

 

Sifilizi Primar

Shënjat e para zhvillohen 10 ditë deri 3 muaj pas infektimit: Mund të fillojë me një plagë të vogel jo të dhimbshme, në atë pjesë të trupit ku dhe është bërë rënia e parë në kontakt me treponemën, zakonisht në zonat gjenitale, rektum, gjuhë, apo buzë. Zakonisht mund të jetë vetëm një plagë, por ka raste kur janë të shumta. 
Këto shenja, zakonisht zhduken pa mjekim, por sëmundja mbetet dhe rishfaqet në stadet e mëvonshme.

Sifilizi Sekondar

Simptomat e Sifilizit sekondar nisin nga java e 3-të deri ne javën e 6-të pas daljes së plagës, simptomat mund të zhduken pa trajtim brenda disa javësh ose të zhduken e rishfaqen disa herë brenda 1 viti.

Simptomat e Sifilizit sekondar përfshijnë:

  • Rash i lekurës
  • Ethe

Zmadhim i limfonodujve
• Lodhje dhe një ndjenjë e lehtë diskomforti
• Dhimbje dhe kruarje

Sifilizi Latent

Disa njerëz përjetojnë një periudhë të quajtur sifiliz të fshehtë, në të cilën nuk ka simptoma. Simptomat mund të mos kthehen kurrë, ose sëmundja mund të përparojë në fazën terciare.

Sifilizi Terciar

Nëse lihet pa trajtuar, bakteret e sifilizit mund të përhapen, duke sjellë dëmtime të organeve të brendshme deri në vdekje disa vjet pas perftimit të infeksionit.

Simptomat e Sifilizit terciar përfshijnë :

  • Vështirësi në kordinimin e lëvizjeve
  • Mpirje
  • Paralizë
  • Verbim
  • Demencë

Trajtimi

Kur diagnostikohet dhe kurohet në fazat e hershme, sifilizi është i lehtë për t’u kuruar. Trajtimi i rekomanduar në të gjitha fazat është penicilina, një antibiotik që vret organizmin që shkakton sifilizin. Njerëzit që janë alergjikë ndaj penicilinës mund të trajtohen me antibiotikët doksiciklinë ose tetraciklinë.

PARANDALIMI I SST-VE

Mënyra më e mirë për të parandaluar Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme është kryerja e marrëdhënieve seksuale të mbrojtura dhe përdorimi i prezervativëve. Gjithashtu  këshillohet që të bëni vaksina për të mbrojtur veten nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme si psh Hepatiti B dhe HPV ( Virusi i papilomës njerëzore). Nëse mendoni se jeni infektuar me një STD – testohuni! Sa më shpejt ta zbuloni, aq më i lehtë do të jetë trajtimi.

SST-të duhet të merren seriozisht, por mos lejoni që frika të dëmtoje marrëdhenien tuaj seksuale! Për të mësuar se si të rritni dëshirën tuaj seksuale dhe më shumë këshilla për një jetë seksuale më të shëndetshme, shikoni artikujt e tjerë në blogun tonë.

Share