KATEGORITË

Pse nuk po ngel shtatzënë? Shkaqet e infertilitetit

Në ditët e sotme, shumë çifte kanë probleme me ngjizjen. Kjo mund të jetë për shkak të infertilitetit, humbjes së shtatzanisë ose dështimeve të teknikave të riprodhimit të asistuar. Në këtë blog, do të diskutojmë arsyet kryesore të infertilitetit.

Çfarë do të thotë infertilitet?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infertiliteti përcaktohet si dështim për të ngelur shtatzënë pas 12 muajsh ose më shumë marrëdhënie të rregullta seksuale të pambrojtura. Pas kësaj periudhe kohore, rekomandohet konsultimi me një specialist. Ai ju ekzaminon për të  gjetur problemin dhe për ta zgjidhur atë nëse ka një të tillë. Infertiliteti nuk është vetëm çështje femërore. Mund të prekë të dy partnerët. Ekspertët pajtohen që mesatarisht 30% e rasteve të infertilitetit mund t’i atribuohen vetëm shkaktarëve femërorë (faktori femër), 30% vetëm shkaktarëve mashkullorë (faktori mashkull), 30% një kombinim i faktorëve të të dy partnerëve dhe në 10% ekziston infertilitet i pashpjegueshëm.

Shkaktarët femërorë të infertilitetit: 

  • Ovulacion i çrregullt

Përafërsisht 25% e grave me probleme fertiliteti kanë ovulacion të çrregullt. Ovulacioni është lëshimi i një veze të pjekur nga një prej vezoreve çdo muaj. Ky proces zgjat nga 12 në 24 orë. Kjo quhet “periudha juaj e fertilitetit”. Nëse fekondimi nuk ndodh, cikli menstrual ndodh pas 14 ditësh. Ka shumë arsye që mund të shkaktojnë cikël të çrregullt menstrual. Ato përfshijnë çrregullime gjenetike, stres, ushqyerja e çrregullt, etj. Arsyeja kryesore është çekuilibri hormonal. Nivelet e ulëta të estrogjeneve dhe progesteronit në serum shkaktojnë çrregullim ose mungesë të ciklit menstrual. Terapia hormonale ka një rëndësi të madhe për sa i përket shkaktarit femëror të infertilitetit.

  • Tubat fallopian të bllokuar

Nëse bllokohet një tub fallopian, bllokohet rruga që ndjek spermatozoidi për të arritur te vezët, si dhe rruga që ndjek veza e fekonduar për t’u kthyer në mitër. Shkaqet më të zakonshme të bllokimit të tubave fallopiane janë infeksionet, operacionet, endometrioza, shtatzanitë ektopike, etj.

  • Endometrioza

Endometrioza është një çrregullim në të cilin qelizat e ngjashme me ato në endometrium rriten jashtë mitrës. Më shpesh, ajo prek vezoret dhe tubat fallopianë. Sidoqoftë, në raste të rralla, ajo ndodh në pjesë të tjera të trupit si mushkëritë, fshikëza urinare dhe zorrët. Femrat përjetojnë simptoma më të këqija të endometriozës gjatë ciklit menstrual pasi indi i endometriozës që rritet jashtë mitrës i përgjigjet sinjaleve hormonale, veçanërisht estrogjeneve. Simptomat kryesore të endometriozës janë dhimbja e legenit dhe infertiliteti. Cistet patologjike mund të ndodhin kur endometrioza prek vezoret. Për më tepër, kjo sëmundje mund të çojë në bllokimin e tubave fallopianë.

  • Infeksionet dhe infertiliteti

Inflamacioni i mukozës vaginale (kolpiti) mund të shkaktojë ndryshime në sekrecionet vaginale. Kjo mund të dëmtojë lëvizjen dhe vitalitetin e spermës.
Gjendja inflamatore e shtresës së brendshme të mitrës, e quajtur endometrit, mund të shkaktojë ndjeshmëri të zvogëluar ndaj estrogjeneve. Kjo mund të përkeqësojë implantimin, një proces në të cilin embrioni në zhvillim kontakton me murin e mitrës dhe mbetet i lidhur me të deri në lindje. Infeksionet gjithashtu mund të shkaktojnë ngjitje indi (adesion) në mitër ose bllokim të qafës së mitrës.

Inflamacioni i tubave fallopianë mund të shkaktojë infertilitet. Tubat fallopianë kanë epitel të thjeshtë kolumnar me zgjatime të ngjashme me flokët që quhen cilia. Ata e çojnë vezën e fekonduar në mitër. Inflamacioni kronik mund të dëmtojë cilia-n. Kjo rrit rrezikun e implantimit të vezës së fekonduar në tuba dhe shkakton shtatzaninë ektopike.

Klamidia (Chlamydia Trachomatis në latinisht) është agjenti kryesor infektiv që shkakton infertilitet. Është një infeksion bakterial seksualisht i transmetueshëm. Fatkeqësisht, vetëm 70% e grave të infektuara kanë disa lloj simptomash si: dhimbje e legenit, sekrecione vaginale të pazakonta ose urinim i dhimbshëm. Prandaj, pak njerëz kërkojnë kujdes mjekësor dhe infeksioni përhapet lehtë. Nëse nuk trajtohet, klamidia mund të arrijë në mitër dhe të bllokojë tubat fallopiane.

  • Sëmundjet autoimune

Një sëmundje autoimune është një gjendje në të cilën sistemi juaj imunitar gabimisht sulmon trupin tuaj. Antitrupat mund të sulmojnë organet tuaja riprodhuese ose gametet (spermatozoidet dhe qelizat vezë). Antitrupat antispermë provohet se shkaktojnë infertilitet. Edhe burrat edhe gratë mund t’i prodhojnë ato. Tek gratë, antitrupat në vaginë mund të vrasin spermatozoidët. Tek burrat, antitrupat sulmojnë qelizat e tyre të spermës. Prandaj, qelizat e spermës ngjiten dhe sperma bëhet më e trashë. Më së shpeshti, infeksioni zhvillon përgjigjen imune.

  • Anomalitë e organeve riprodhuese

Çrregullimet e lindura ose të fituara të organeve gjenitale të jashtme i bëjnë marrëdhëniet seksuale të vështira ose të pamundura. Ka probleme të shumta si adesione vaginale, bllokimi i qafës së mitrës ose anomalitë e lindura të mitrës që ndalojnë rrugëtimin e spermatozoideve dhe çojnë në infertilitet. Ndodh shumë rrallë që adesioni pas abortit kirurgjikal të shkaktojë infertilitet.

  • Problemet me tiroidet

Gjëndra tiroide është një nga gjëndrat më të rëndësishme në trupin e njeriut. Gratë me funksion të zvogëluar të tiroides kanë tendencë të kenë cikël menstrual të çrregullt ose aspak. Kjo gjithashtu nënkupton ovulim të çrregullt i cili zvogëlon shanset tuaja për të mbetur shtatzënë. Janë të pazakonta rastet kur burrat kanë probleme me tiroidet, por kur është i pranishëm, dëmton cilësinë e spermës, epshin dhe funksionin e ereksionit.

  • Nivelet e larta të prolaktinës

Prolaktina është një hormon i prodhuar nga gjëndrra e hipofizës. Është përgjegjës për zhvillimin e gjëndrave të qumështit dhe prodhimin e qumështit gjatë dhe pas shtatzanisë. Gratë jo shtatzëna me nivele të larta të prolaktinës përjetojnë simptoma të tilla si: cikël menstrual të çrregullt, rrjedhje qumështi, infertilitet dhe epsh të ulët seksual.

Shkaktarët mashkullorë të infertilitetit

Faktorët kryesorë meshkuj të infertilitetit janë çekuilibri hormonal, stresi, mbinxehja e testikujve, abuzimi me alkoolin, pirja e duhanit dhe varësia nga ilaçet. Faktorë të tjerë janë gjenetika, anomalitë e organeve riprodhuese, antitrupat anti-spermatozoide, problemet e tiroides, etj.

Infertiliteti i pashpjegueshëm

Infertiliteti i pashpjegueshëm përcaktohet si mungesë e një shkaku të dukshëm për infertilitetin e çiftit. Sidoqoftë, ekziston gjithmonë një arsye për infertilitet. Çiftet infertile varen shumë nga cilësia dhe sasia e testeve të aplikuara diagnostike. Specialistët rekomandojnë opinionin e dytë mjekësor dhe rivlerësimin e testit që është bërë tashmë. Gjithashtu, ka mënyra të shumta për të rritur natyrshëm fertilitetin tuaj. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ushqimi i shëndetshëm dhe marrja e vitaminave është jashtëzakonisht e rëndësishme kur përpiqeni të ngelni shtatzënë.

Share