Kur bëhet fjalë për menstruacionet, shtatzëninë dhe kontrollin e lindjes, mund të jetë i vështirë dallimi midis fakteve shkencore dhe miteve folklorike. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kuptoni trupin tuaj dhe çfare konsumoni apo përdorni që të jeni të shëndetshme. Njohuritë rreth opsioneve të kontrollit të lindjes janë te domosdoshme për fuqizimin e grave në mënyrë që të kenë kontroll mbi shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Më poshtë kemi renditur disa nga mitet dhe faktet më të zakonshme në lidhje me kontracepsionin për t’ju mbajtur të informuar:
1. PILULA NDIKON NË SHTIMIN NË PESHË
Shumë gra thonë se kanë shtuar në peshë si një efekt anësor i kontracepsionit hormonal. A është e vërtetë kjo apo thjesht përdoret si justifikim për të ngrënë më tepër seç duhet ? Duke ju referuar Health.com, nuk ka asnjë provë shkencore që kontraceptivët hormonal përfshirë pilulën e kombinuar orale, pajisjen IUD hormonale ose implantin që të kenë ndikim në shtimin në peshë.
Sidoqoftë, estrogjeni (që gjendet pothuajse në të gjitha kontraceptivët hormonal) mund të stimulojë mbajtjen e lëngjeve në trup përpara menstruacioneve tuaja. Pra, mund të duket sikur keni fituar peshë në kilogram, por këto kilogramë zhduken pas menstruacioneve. Ky është një efekt anësor i përkohshëm dhe studiuesit kanë zbuluar se kjo mbajtje e lëngjeve lehtësohet pas 3 muajve të përdorimit të kontraceptivëve hormonal.
2. KONTROLLI I LINDJES ËSHTË 100% I SIGURTË
Fatkeqësisht, asnjë kontraceptiv i njohur nuk është plotësisht i efektshëm – madje as disa metoda të sterilizimit të grave.
Sidoqoftë, kur merret si duhet, kontrolli oral i lindjes mund të jetë i saktë deri në 99.9%.
Nëse jeni të shqetësuar, konsultohuni me mjekun tuaj që t’ju ndihmojë.
3. PILULAT MUND TË SHKAKTOJNË INFERTILITET MË VONË.
Nuk njihet asnjë lidhje midis marrjes së pilulës dhe infertilitetit. Në fakt, fertiliteti mund të rikthehet pothuajse menjëherë pasi të ndërprisni marrjen e pilulave, dhe për këtë është e rëndësishme të mos harroni asnjë.
Sidoqoftë, disa gra mund të përballen përkohësisht me vështirësi për të mbetur shtatzënë pas ndërprerjes së marrjes së pilulave. Kjo ndodh më shpesh tek gratë që kishin menstruacione të ç’rregullta para se të fillonin administrimin e tyre. Gjithashtu, nëse nuk po përpiqeni të mbeteni shtatzënë, mund të mos jeni të vetëdijshëm për ndonjë problem natyral fertiliteti dhe mund ta zbuloni atë pasi të keni ndërprerë marrjen e pilulave.
4. PILULA ËSHTË VETËM PËR GRATË QË DUAN TË PARANDALOJNË SHTATZANINË
Shumë gra marrin kontraceptivë si një metodë për kontrollin e lindjes, por ka shumë përfitime të tjera shëndetësore. Këtu përfshihen reduktimin e dhimbjeve menstruale dhe të ovulacionit, rregullimin e ciklit tuaj (si dhe aftësinë për të kontrolluar kohën e menstruacioneve tuaja), reduktimin e simptomave të Sindromit Premenstrual (PMS) dhe shumë të tjera.
Mund të sigurojë gjithashtu mbrojtje kundër shtatzënisë ektopike, të zvogëlojë mundësinë e zhvillimit të kancerit të vezoreve dhe të ketë efekt të dobishëm tek aknet, migrena menstruale dhe dhimbje ose shqetësimet e shkaktuara nga cistat e gjirit deri në fund të ciklit menstrual.
5. GRATË MBI 35 VJEÇ DUHET TË NDËRPRESIN KONTROLLIN E LINDJES
Gratë me presion normal të gjakut, pa rrezik të lartë për të pësuar infarkt në zemër ose goditje në tru dhe që nuk pinë duhan, shpesh mund të përdorin pilula me dozë më të ulët deri në menopauzë. Në fakt, pilula në të vërtetë mund të jetë më e dobishme gjatë kësaj periudhe pasi shumë gra përjetojnë cikle të shtuara ose të parregullta si rezultat i perimenopauzës.
6. GRATË QË PINË DUHAN NUK MUND TA PËRDORIN PILULËN.
Gratë që pinë duhan kanë rrezik më të lartë për të pësuar infarkt në përgjithësi. Sidoqoftë, studimet kanë treguar që gratë që pinë duhan mbi moshën 35 vjeç dhe përdorin pilulën e kombinuar kanë më shumë shans për të patur efekte anësore kardiovaskulare, përfshirë formimin e pllakëzave të gjakut, goditje në tru dhe infarkt në zemër. Kjo është arsyeja pse shumë mjekë janë të shqetësuar për përshkrimin e pilulave te gratë në këtë moshë.
Sidoqoftë, ekzistojnë pilula të kombinuara me dozë të ulët dhe pilula vetëm me progestin (të njohura edhe si “minipill”) që janë në dispozicion për duhanpirëset. Duhet theksuar se pilula është gjithashtu e pasigurtë për gratë që pinë shumë duhan.
Nëse jeni duhanpirëse dhe dëshironi të kontrolloni lindjen, flisni me një mjek. Është e rëndësishme të jeni të sinqertë për këtë fakt me mjekun tuaj .
TË GJITHA METODAT E KONTROLLIT TË LINDJES JANË TË NJËJTA
Sot, ekzistojnë kaq shumë metoda të ndryshme të kontrollit të lindjes. Por jo të gjitha janë të njëjta, ato mund të përmbajnë nivele të ndryshme të hormoneve dhe gjithashtu mund të ofrojnë doza të ndryshme në periudha të ndryshme gjatë çdo cikli të kutisë së pilulave.
Pilulat e kombinuara përmbajnë estrogjen dhe progestin dhe disa përmbajnë vetëm progestin.
Për më tepër, secila markë e pilulave mund të ndikojë ndryshe në proçeset kimike të organizmit të gruas. Disa madje mund të kenë përfitime të ndryshme dhe efekte anësore.
Prandaj është e rëndësishme që të konsultoheni me mjekun tuaj për një pilulë që funksionon në mënyrë specifike për trupin tuaj dhe stilin e jetës.
Nëse dëshironi të mësoni më shumë rreth parandalimit të shtatëzanisë, shihni postimet e tjera që lidhen me këtë temë në blogun tonë dhe qëndroni të informuara në lidhje me trupin tuaj.